Më shumë mundësi për financimin e sipërmarrësve të bimëve medicinale dhe gështenjave në qarkun Shkodër

29 Maj 2019 – Shkodra shënon ndalesën e katërt në turin e turin e “Programit të Mbështetjes së Agrobiznesit dhe Turizmit Shqiptar” (AATSF) për nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet Institucioneve Financiare dhe Agrobizneseve në Shqipëri. Në vëmendje të projektit dhe institucioneve partnere financiare, këtë radhë ishin sipërmarrësit e bimëve medicinale dhe gështenjave, të cillët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në këtë qark.

 

Të gatshëm për të mësuar më shumë rreth mundësive të financimit, pjesëmarrësit u njohën nga afër me punën e projektit AATSF, i cili përfaqëson një instrument inovativ që synon të motivojë Institucionet Financiare të financojnë zinxhirin e vlerës së agrobiznesit. Ata u njohën gjithashtu me mundësitë e financimit për agrobiznesin dhe asistencën teknike për bankat, lehtësira të cilat ofrohen përmes AATSF dhe skemave të Bashkimit Evropian për zhvillimin e agrobiznesit në Shqipëri.

 

Krahas sipërmarrësve të bimëve medicinale dhe gështenjave dhe përfaqësuesve nga projekti AATSF, të pranishëm në këtë takim ishin edhe Institucionet Financiare Partnere, duke mundësuar kështu shkëmbimin e parë midis institucioneve dhe sipërmarrësve mbi procedurat për të përfituar nga nisma e projektit.

 

E pranishme në këtë event Drejtoresha Rajonale e Raiffeisen Bank, Zj. Eralda Katroshi u shpreh se Banka ka një portofol të konsiderueshëm që i vjen në ndihmë sektorit të agrobiznesit me një vlerë afro 9 milion euro. “Edhe pse jemi të rinj në këtë Program, nuk do të thotë që jemi më pak të njohur në fushën e Agrobiznesit. Kemi një portofol të konsiderueshëm gati 9 milionë euro në këtë sektor. Banka ju mbështet në çdo aktivitet të biznesit tuaj qofshit ju primar në këtë industri apo më pas përpunues. Normalisht siç çdo kredi edhe kjo strukturohet në bazë të ciklit tuaj biznesit tuaj.” – tha Zj. Katroshi.

 

Ndërkohë që Drejtori Rajonal i Otp Bank, z. Arben Haveri ftoi pjesëmarrësit të njihen me produktet e kësaj banke. “Objektivat tona janë shumë ambicioze. Të rritemi jo vetëm në Shqipëri por dhe në rajon çka ka për qëllim lehtësimin e nevojave tuaja në nivel lokal, por njëkohësisht dhe rajonal. Ju mirëpresim në OTP Bank duke shpresuar të arrijmë së bashku objektivat që ka sektori dhe njëkohësisht edhe Programi” – u shpreh z. Haveri.

 

Takimi i radhës midis agrobizneseve dhe institucioneve financiare do të zhvillohet në datën 7 qershor në Korçë, me pjesëmarrjen e fermerëve dhe bizneseve të angazhuar në kultivimin e mollës.