Banka Intesa Sanpaolo i bashkohet Programit për Mbështetjen e Agrobiznesit dhe Turizmit në Shqipëri

Banka Intesa Sanpaolo i bashkohet Programit për Mbështetjen e Agrobiznesit dhe Turizmit në Shqipëri me qëllim rritjen e aksesit në financime për fermerët vendas dhe agrobizneset.

BERZH po ofron një instrument të ndarjes së riskut prej 25 milionë euro, i cili pritet të gjenerojë deri në 50 milionë euro kredi të lëvrueshme nga Banka Intesa Sanpaolo për klientët vendas të agrobiznesit. Ky portofol kredish do te mbështetet nga një fond për mbulimin e humbjeve të para, vënë në dispozicion nga Qeveria Shqiptare.

Krahas kësaj, fonde të bashkëpunimit teknik do t’i mundësojnë Bankës Intesa Sanpaolo zhvillimin dhe marketimin e produkteve të reja financiare që do të përmbushin nevojat e sektorit të agrobiznesit dhe turizmit në vend.

Bujqësia është një sektor kyç i ekonomisë shqiptare që siguron punësim për më shumë se 50 për qind të popullsisë së zonave rurale dhe përbën rreth 20 për qind të PBB-së së vendit. Pavarësisht kësaj, sektori mbetet shumë pak i shërbyer nga institucionet financiare, ku kreditë për agrobiznesin përbëjnë vetëm 2 për qind të kreditimit total për ekonominë.

Programi për Mbështetjen e Agrobiznesit dhe Turizmit në Shqipëri, i prezantuar nga BERZH dhe qeveria Shqiptare në fillim të vitit 2016, e adreson këtë sfidë duke përmirësuar aksesin në financime për agrobizneset vendase përmes linjave të dedikuara të kredisë ose nëpërmjet instrumentave të ndarjes së riskut të huadhënies me institucionet financiare pjesëmarrëse në këtë program. Qeveria është angazhuar që të mundësojë deri në 36 milionë euro brenda një periudhe 3-vjeçare në mbështetje të programit, ndërsa BERZH po ofron deri në 100 milionë euro për financime dhe instrumenta të ndarjes së riskut. Te dy këta elementë do të aktivizojnë edhe 80 milionë euro të tjera investime nga institucionet financiare pjesëmarrëse të programit.

Banka Intesa Sanpaolo Albania është pjesë e Intesa Sanpaolo Spa në Itali dhe renditet e katërta sipas totalit te aseteve në vend. Kjo bankë ka një shpërndarje shumë të mirë rajonale të degëve duke mundësuar kështu një  qasje më të mirë të klientëve të zonave rurale ndaj programit për mbështetjen e agrobiznesit. Banka Intesa Sanpaolo është institucioni i pestë financiar që  i bashkohet Programit pas ProCredit, NOA, Fondit Besa, dhe OTP Albania.

Drejtori i zyrës së BERZH në Shqipëri, Z. Matteo Colangeli deklaroi: “ Ne jemi të lumtur për nënshkrimin e marrëveshjes sot pasi ky përfaqëson një hap të rëndësishëm për zhvillimin e programit tonë dhe për sektorin e agrobiznesit dhe turizmit në Shqipëri. Ne tani kemi pesë institucione financiare pjesëmarrëse në Program, mëse te angazhuara që të rrisin kreditimin ndaj sektorit te Agrobiznesit dhe që kanë pritshmëri të larta për rritjen e investimeve gjatë muajve në vijim. Rritja dhe forcimi i konkurueshmërisë në sektorin e agrobiznesit do të gjenerojnë një rritje të qëndrueshme në ekonominë shqiptare, një qëllim ndaj të cilit ne si BERZH jemi fuqimisht të angazhuar.”

  1. Silvio Pedrazzi, Drejtor i Intesa SanPaolo Bank në Shqipëri shtoi: “Kjo marrëveshje do të nxisë zhvillimin e financimeve të qëndrueshme në sektorin e agrobiznesit duke ofruar në vazhdimësi linja të kreditimit të biznesit. Ne do të angazhojmë burimet tona për zhvillimin, prezantimin dhe implementimin e këtij programi në bashkëpunim me BERZH dhe ekspertët e caktuar nga banka për të ofruar produkte dhe shërbime më të dedikuara për këtë sektor specifik ku ne jemi fokusuar tashmë prej 3 vitesh për të gjithë kategoritë e klientëve si: korporata, SME, biznese të vogla, pronarë të vetëm dhe çdo formë tjetër entiteti ligjor të themeluar sipas ligjeve të Republikës së Shqipërisë që operon në secilën prej fushave të gamës së gjerë të aktiviteteve të quajtura bashkërisht si “Sektori i Agrobiznesit” si Agrikultura, Paisjet Agri, Logjistika, Agro-Proçesimi dhe ofruesit e këtyre shërbimeve.

Perveç instrumentave financuese, ky program përfshin edhe asistencë teknike për t’i mbështetur institucionet financiare në zgjerimin e huadhënies, si dhe shërbime këshillimore nëpërmjet programit të BERZH të Këshillimit për Bizneset e Vogla, për të ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në këtë sektor të rrisin performancën e tyre në një larmi fushash dhe të bëhen më të kreditueshme. BERZH vazhdon gjithashtu të mbështesë institucionet shqiptare me aktivitete specifike në favor të  reformave sektoriale, në koordinim me partnerë të tjerë zhvillimi.

Që prej fillimit të aktivitetit të saj në Shqipëri, BERZH ka investuar mbi 1 miliardë euro në rreth 75 projekte në sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit. Banka është aktive në të gjithë sektorët e ekonomisë me një fokus të veçantë tek infrastruktura dhe energjia ku kërkesat dhe potenciali janë të larta. Prioritetet strategjike të BERZH për periudhën 2016-2018 për vendet ku Banka investon janë ri-energjizimi i rritjes, konsolidimi i integrimit rajonal dhe adresimi i sfidave globale.

Nën konceptin e ri të tranzicionit të BERZH, Banka synon të promovojë gjashtë elementët e tranzicionit si fleksibiliteti, integrimi, përfshirja, “gjelbërimi”, qeverisja e mirë dhe konkurueshmëria të cilat janë elemente parësore të ekonomive të suksesshme dhe të qëndrueshme të tregut.

Intesa Sanpaolo Bank në Shqipëri është një bankë lider në vend që ofron për kompanitë, klientët institucionalë dhe klientët e mëdhenj privatë si dhe për klientët retail në Shqipëri zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe produkte e shërbime të shkëlqyera. Banka i ofron shërbimet e saj përmes një rrjeti të gjerë duke qenë prezente në të gjithë qytetet kryesore në vend dhe duke vijuar shtrirjen e saj strategjike në përputhje me zhvillimin ekonomik të vendit.

https://www.ebrd.com/ebrd-albania-agribusiness-support-facility