Janë më shumë se 6000 fermerë dhe agrobiznese në Shqipëri ata që deri më tani kanë përfituar nga “Programi i Mbështetjes së Agrobiznesit Shqiptar” (AASF), një projekt i financuar dhe zhvilluar nga BERZH në bashkëpunim dhe me mbështjetje nga Qeveria Shqiptare, i cili ka nisur aktivitetin e tij në 2016.
“Kampionët e AASF” janë agrobizneset që kanë përfituar ndjeshëm nga mbështetja teknike dhe financiare që ofron AASF, për rritjen e prodhimit, shtimit të vlerës dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të sektorit bujqësor shqiptar. Ato mund të shërbejnë si shembuj përfaqësues të praktikës më të mirë se si AASF kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të sektorit bujqësor shqiptar.
“Flori sh.p.k”, një prodhues i qumështit me vendndodhje në Lezhë, përfitoi nga asistenca financiare përmes AASF dhe skemës IPARD ndërmjet 2016 dhe 2020. Agrobiznesi nisi për herë të parë aktivitetin e tij në 2011, me një total prej 130 krerë lopë. Tani në vitin e tij të 10-të të aktivitetit, numri i lopëve dhe meshqerrëve është rritur në 393 dhe prodhimi ushqimit me cilësi të lartë zhvillohet në 11.6 hektarë tokë. Produktiviteti i lartë i lopëve gjermane që kjo fermë rrit sot, ka rritur prodhimin e përgjithshëm të qumshtit me më shumë se 150%.
Z. Ndoc Gazulli, zooteknik përgjegjës për menaxhimin e fermës dhe sigurimin e cilësisë thotë se ai u njoh me AASF dhe IPARD përmes Institucioneve Financiare partnere të AASF.
“Përmes mbështetjes së Programit AASF dhe skemës së IPARD, ne kemi arritur të zgjerojmë kapacitetin e prodhimit dhe kemi blerë makineri dhe pajisje të reja bujqësore të nevojshme për të përshpejtuar procesin e prodhimit” – tha z. Gazulli.
AASF dhe Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) kanë mbështetur “Flori sh.p.k” përmes asistencës financiare dhe teknike për të zgjeruar kapacitetet e saj prodhuese dhe për të ofruar shërbim më të mirë me cilësi për klientët e saj. Vetëm përmes Programit AASF, këtij agrobiznesi iu dha mundësia të përfitojë hua që arrijnë në më shumë se 400,000 € duke u kthyer në një nga prodhuesit më të mëdhenj të qumështit në Shqipëri.