02 Dhjetor, 2020 – BERZH Këshilla për Bizneset e Vogla (ASB) financuar nga EU Western Balkans Enterprise Development and Innovation Facility, në bashkëpunim me Programin e Mbështetjes së Agrobiznesit Shqiptar (AASF) dhe RisiAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, organizuan Webinar-in tematik “Agrobiznesi në Shqipëri: Nga Çertifikimet tek Kontraktimi në Bujqësi”.
Më shumë se 150 pjesëmarrës morën pjesë në këtë aktivitet online. Midis tyre ndërmarrjet shqiptare të agrobiznesit, përfaqësues të institucioneve financiare partnere, ekspertë të industrisë dhe përfaqësues nga institucione shtetërore dhe donatorë.
Ekspertët e AASF, ASB, Risi Albania dhe përfaqëses nga biznesi ofruan informacione kyçe mbi mundësitë e programeve mbështetëse për agrobiznesin në tërësi dhe eksportuesit Shqiptarë në fushën e Frutave, Perimeve dhe Bimëve Medicinale dhe Aromatike (MAPs) në veçanti.
Qëllimi i këtij Webinari është promovimi i Çertifikimeve Ndërkombëtare në sektorin e Agrobiznesit dhe diskutimin mbi rëndësinë e “Kontratave Bujqësore“ (Contract Farming) si dhe të Praktikave të Mira në Bujqësi sipas standarteve ndërkombëtare (Global GAP).
Zj. Adela Leka, Zëvendësdrejtore e Programit të AASF, prezatoi mundësitë e programit AASF dhe theksoi rëndësinë e programit në mbështetjen e sektorit bujqësor shqiptar dhe të gjithë nënsektorëve të tij. “AASF siguron qasje në financa për sektorin e agrobiznesit në dy mënyra: linjë kredie dhe / ose shpërndarjen e riskut të portofolit për institucionet mikrofinanciare dhe bankat. Institucionet përfitojnë nga një mbulim i parë i rrezikut të humbjeve që u vihet në dispozicion nga Qeveria Shqiptare. AASF përfaqëson një instrument inovativ financiar për të inkurajuar kreditimin nga Institucionet Financiare në të gjithë zinxhirin e vlerës së agrobiznesit.” – theksoi Zj. Leka.
Zj. Ardiola Hristic, Menaxhere Programi, BERZH, Këshilla për Bizneset e Vogla, u prezantoi pjesëmarrësve mundësitë që programi ASB ofron për agrobizneset që duan të zgjerohen dhe rriten. “Programi BERZH-it Këshilla për Bizneset e Vogla, ofron më shumë sesa mundësi të mbështetjes financiare për agrobizneset. BERZH ofron këshilla biznesi për bizneset e vogla dhe të mesme, duke përfshirë hartimin e planit të biznesit, marketingun, menaxhimin financiar, rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore dhe ofrimin e asistencës rreth standardeve të sigurimit të cilësisë si ndihmë përgatitore.” – u shpreh Znj. Hristic.
Ndërsa, Z. Stephan Joss, Drejtor i projektit Risi Albania, u përqendrua më shumë në aspektin e çertifikimit dhe kontraktimit në bujqësi, duke theksuar atë që projekti zviceran ndihmon këtë komunitet duke u përqëndruar kryesisht në asistencën teknike të tilla si krijimi i vendeve të punës, ndërmjetësimi dhe kualifikimi.
Përfaqësuar nga Z. Ejup Ahmeti, “Doni Fruits”, kompani e mbështetur nga programi AASF, ishte në mesin e disa bizneseve që morën pjesë në këtë webinar, duke e prezantuar audiencën me praktikën e saj të mirë kur bëhet fjalë për Global GAP.
Ekspertët e tjerë, Z. Drini Imami, PHD (moderator), Z. Frankie Whitwell, Z. Emiland Skorra, Ilirjana Gjana dhe Z. Agim Rrapaj, shtjelluan më tej nevojat dhe mundësitë e eksportit të produkteve bujqësore shqiptare dhe tregjeve potenciale.
Për të parë videon e plotë të këtij webinari, ju lutemi vizitoni linkun: https://youtu.be/cUaWPhff4lM në kanalin e Youtube të AASF.
Më shumë se 6,000 fermerë dhe agrobiznese në Shqipëri deri më tani kanë përfituar nga “Programi i Mbështetjes së Agrobiznesit Shqiptar”, një kornizë financimi e zhvilluar nga BERZH në bashkëpunim dhe mbështetje nga Qeveria e Shqipërisë.