23 dhe 24 qershor 2019 – Me mbështetjen e veçantë të Bashkisë Korçë, “Programi i Mbështetjes së Agrobiznesit Shqiptar” (AASF), zhvilloi ditën e diel, më 23 qershor, një takim konstruktiv dedikuar nxitjes së agrobiznesit në rajonin jug-lindor. Mbi 20 përfaqësues të agrobizneseve të zonës (ferma, bujtina) dhe përfaqësues të autoriteteve lokale morën pjesë në takim.
Aktiviteti u zhvillua në formën e një diskutimi të hapur, i cili kishte në fokus të identifikonte problematikat e ndryshme me të cilat përballen agrobizneset në rajonin e Korçës, nevojat e tyre për financim të iniciativave për zgjerimin e aktivitetit të biznesit dhe skemat e investimeve në të cilat janë përfshirë deri më tani. Përmes pyetjeve drejtuar përfaqësuesve të AASF, pjesëmarrësit në takim morën më shumë informacion lidhur me mënyrën e përfitimit nga programi, Institucionet Financiare Partnere dhe skemat e BE për financimin e agrobiznesit.
Ndërsa ditën e hënë, datë 24 qershor, AASF u prezantua me një stendë të dedikuar gjatë festës lokale ‘Rrëfej Voskopojën’, organizuar me iniciativën e Ministrisë së Turizmit dhe Bashkisë Korçë. Përmes broshurave informative dhe studimeve bujqësore, përfaqësues nga sipërmarrje të vogla dhe të mesme në sektorin e agrobiznesit, pjesëmarrës në festë, u informuan më tej mbi nismën e AASF për mbështetjen e agrobiznesit në Shqipëri, si dhe me shërbime të tjera mbështetëse që BERZH ofron përmes programit, si konsulencat për biznesin.