AATSF dhe AZHBR trajnon agropikat dhe fermerët mbi skemat e mbështetjes financare

11 Dhjetor 2019 – Programi i Mbështetjes së Agrobiznesit dhe Turizmit Shqiptar (AATSF) në bashkëpunim me Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) zhvilloi gjatë muajit tetor një seri trajnimesh mbi njohuritë dhe skemat e mbështetjes financiare për bujqësinë.

Pjesmarrës në trajnim ishin të gjithë punonjësit e AgroPika-ve, në zonat që mbulon AZHBR, si Tirana, Gjirokastra, Pogradeci, Fieri dhe Shkodra.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte prezantimi i skemës së Programit AATSF dhe përfitimeve që vijnë nga kjo skemë për klientët dhe Institucionet Financiare Partnere.

Zëvendës Drejtuesja e Projektit, Zj. Adela Leka, bashkë me ekipin e AATSF zhvilluan një trajnim interaktiv për të identifikuar mundësi për përmirësime të mëtejshme ose mbështetje të nevojshme financiare në të ardhmen për fermerët dhe agrobizneset.

Trajnimi ofroi një pasqyrë informative rreth asaj që fermerët dhe agrobizneset do të duhet të dinë për të aplikuar mbi paketat financiare ofruar nga Institucioneve Financiare Partnere.

Ky trajnim ndihmon gjithashtu edhe punonjësit e AgroPika-ve të cilët janë përgjegjës në sigurimin e informacionit për fermerët dhe agrobiznesin në lidhje me Skemën Kombëtare, thirrjet e IPARD të Bashkimit Evropian, Programit të AATSF, apo të skemave të tjera të ofruara nga Institucionet Financiare.

Pjesëmarrësit gjatë këtij trajnimi u njohën me metodat e kryerjes së: a) Analizës cilësore dhe sasiore të fermermave / agrobizneseve për t’i mbështetur ata në nevojat e tyre të biznesit, dhe b) Regjistrimit të strukturuar të informacionit për të dhënat e biznesit, jo vetëm si arsye për të aksesuar institucionet financiare, por edhe për të analizuar / vlerësuar bizneset e tyre.

Ekipi AATSF ndau me pjesëmarrësit studimet e bëra nga projekti me qëllim motivimin dhe dhënien e një pamje të qartë të rezultatit të Programit.

Përveç rritjes së njohurive profesionale të stafit të AgroPika-ve, trajnimi ishte një mundësi shumë e mirë për krijimin e lidhjeve mes bizneseve dhe bankave, promovimit të Programit dhe mundësisë së rritjes së disbursimeve në të ardhmen për shkak të bashkëpunimit të krijuar ndërmjet stafit të AgroPika-ve, AATSF-së dhe Institucioneve Financiare Partnere.