Dhjetor 2019 – Gjatë muajit tetor dhe nëntor “Programi i Mbështetjes së Agrobiznesit dhe Turizmit Shqiptar” (AATSF), një projekt i financuar dhe zhvilluar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare, zhvilloi një seri takimesh informuese në rajonin e Lushnjes, Korçës, Gjirokastër – Sarandës dhe Malësisë së Madhe.
Qëllimi i këtyre takimeve ishte informimi i fermerëve dhe agrobizneseve të këtyre zonave rreth procedurave të aplikimit për të përfituar mbështetje financiare nga Programet për Mbështetjen e Agrobiznesit dhe Turizmit Shqiptar (AATSF) dhe Skemat Kombëtare të Mbështetjes për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (IPARD II) të mbështetur nga Bashkimi Evropian.
Përveç se informimi i aktorëve në lidhje me programet që mbështesin sektorin agro aktivitetet synojnë të sigurojnë dhe lehtësojnë dialogun ndërmjet pjesëmarrësve, me qëllim të nxitjen e nivelit të investimeve në këtë sektor jetik për ekonominë shqiptare.
Pjesë e këtyre takime ishin përfaqësues nga Programi i AATSF dhe AZHBR, Institucionet Financiare Partnere (PFI), përfaqësues të BERZH-it, përfaqësues të institucioneve të qeverisjes vendore dhe agrobizneset lokale si kultivuesit e serave, agro-përpunimit, blegtorisë, bimëve medicinale, mollës dhe konsoliduesve tregtare/përpunuese.
Gjatë takimit, bizneset e pranishme u prezantuan edhe me programin “Këshilla për Bizneset e Vogla” (ASB) të mbështetur nga BERZH, si dhe me produktet dhe shërbimet financiare të ofruara për agrobiznesin nga Institucionet Financiare Partnere.
Në përfundim të këtyre takimeve pjesëmarrësit mësuan më shumë për instrumentat e financimit të AATSF, mënyrat se si ata mund të bëhen pjesë e tij, si të përfitojnë më shumë, si të zhvillohen dhe si të krijojnë lidhje të reja me fermerë të tjerë, bizneset dhe institucionet financiare.