30 Korrik 2019 – Gjatë periudhës prill – korrik, “Programi i Mbështetjes së Agrobiznesit dhe Turizmit Shqiptar” përfundoi një seri trajnimesh mbi Kartat Teknologjike. Në trajnime morën pjesë 55 përfaqësues dhe punonjës nga degët lokale të institucioneve financiare partnere të projektit (OTP Bank, Intesa San Paolo Bank, fondi BESA) në Shkodër, Elbasan, Korçë, Berat, Fier dhe Vlorë. Në total gjatë këtij viti janë trajnuar mbi 110 punonjës mbi Kartat Teknologjike. Pjesëmarrësit në trajnim treguan një interes të madh për instrumentin.
Kartat Teknologjike përfaqësojnë një produkt të dobishëm për fermerët, pasi ndihmojnë me përmirësimin e vendimmarrjes, efikasitetit dhe performancës në treg. Instrumenti ndihmon fermerët të aplikojnë në mënyrë efikase shërbimet agroteknike, duke ulur shpenzimet ose humbjet e fermës dhe duke siguruar kështu fitime më të larta. Përveç kësaj, instrumenti lejon prodhuesit bujqësor të krahasojnë fermën e tyre me praktikat më të mira nga fermat e tjera të zhvilluara.
Të dhënat e Kartave Teknologjike shërbejnë jo vetëm fermerët, por edhe për ofruesit e shërbimeve dhe institucioneve financiare, si një mjet për të kuptuar më mirë sektorin bujqësor dhe për të vlerësuar me saktësi operacionet e fermës. Të dhënat janë shumë të dobishme për procesin e vendimmarrjes së institucioneve financiare, pasi u mundësojnë këtyre institucioneve të realizojnë një vlerësim realist të planeve të investimit dhe normës së përfitimit të biznesit për çdo veprimtari të agrobiznesit.
Informacioni mbi çmimet e lëndëve të para (inputeve) bujqësore është tepër i nevojshëm për përgatitjen e kartave teknologjike. Falë bashkëpunimit me ofruesit e lëndëve të para bujqësore, kompanitë MBM shpk dhe Agroinput-Jazxhi shpk, ishte e mundur të merreshin informacione të detajuara për të gjithë gamën e inputeve bujqësore. Pas këtij bashkëpunimi, projekti AATSF u ofroi këtyre dy kompanive një sasi librash mbi Kartat Teknologjike, për t’i përdorur në këshillimet e tyre për agrobizneset shqiptare.