Bujqësia është një sektor i rëndësishëm ekonomik në Shqipëri që gjeneron rreth 20% të PBB-së (krahasuar me mesataren 2% në BE) dhe është burimi kryesor i punësimit në zonat rurale, duke llogaritur rreth 40% të popullsisë së punësuar në këtë sektor (kundrejt 3% në BE). Sfida kryesore mbetet transformimi i bujqësisë nga një sektor prodhues për nevojat lokale në një sektor modern të orientuar drejt komercializimit dhe konkurrueshmërisë së tregut ndërkombëtar.
Ndonëse kushtet klimaterike dhe përbërja e tokës janë të favorshme për zhvillimin e produkteve bujqësore në Shqipëri, sërish sektori karakterizohet nga performanca e ulët prodhuese. Në zonat rurale, ku ky sektor ka dhe përqëndrimin më të madh, vihet re mungesa e investimeve në infrastrukturë dhe burime njerëzore, si pasojë edhe e vakumit në çështje strukturore dhe ligjore.
Në këtë kuadër, disa prej sfidave që has bujqësia shqiptare sot, përfshin askpekte si më poshtë:
• Fragmentim të lartë të tokës së punueshme;
• Mungesë të inputeve teknologjike, infrastrukturës së shpërndarjes dhe sistemeve të menaxhimit;
• Mospasja e një strategjie marketingu dhe shitjeje të produkteve;
• Pamundësi për të plotësuar kushtet minimale të kredimarrjes siç është kolaterali;
• Mungesa e titujve të pronësisë;
• Infrastruktura e pazhvilluar dhe mungesa e shërbimeve të mbështetjes bujqësore;
• Vakume ligjore;
Përveç sfidave të sipërpërmendura strukturore, qasja e kufizuar në financa është një tjetër pengesë për rritjen ekonomike në këtë sektor. Agrobiznesi është shumë i nënvlerësuar nga sistemi financiar kur bëhet fjalë për kredidhënie. Bujqësia përbën vetëm 2% të totalit të kredimarrjes në ekonomi. Arsyet për nivele të tilla të ulëta financimi janë të rrënjosura si në krahun ofertues (bankat dhe institucionet e tjera financiare) ashtu edhe në atë të kërkesës (fermerët dhe agrobizneset).
Istitucionet Financiare vendase janë treguar konservatore ndaj kreditimit të sektorit të bujqësisë. Kjo pasi, financimi i këtij sektori mbart rreziqe më të larta, të cilat kërkojnë aftësi specifike për ti menaxhuar dhe kosto të larta operacionale. Si rezultat, bankat nuk kanë investuar përgjithësisht në produkte dhe ekspertiza teknike për të ndërtuar kapacitete efektive agro-kredituese.
Nga ana tjetër, agrobizneset shpesh nuk janë në gjendje të plotësojnë kërkesat e nevojshme për t’u financuar. Mungesa e kolateralit, licencave, planeve të biznesit dhe niveli i përgjithshëm i informalitetit në këtë sektor janë pengesa serioze për marrjen e financimit. Në këtë kuadër lind nevoja për mundësimin e një mekanizmi të integruar i cili do të mund të ndërmjetësonte lidhjen mes burimeve të financimit dhe biznesit që ka nevojë për të.
Në përgjigje të këtyre sfidave me të cilat ballafaqohen agrobizneset shqiptare sot, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Qeveria Shqiptare nisën në vitin 2016, Programin për Mbështetjen e Agrobiznesit dhe Turizmit Shqiptar (AASF).