17 Maj 2019 – Qyteti i Fierit është ndalesa e dytë në turin e “Programit të Mbështetjes së Agrobiznesit dhe Turizmit Shqiptar” (AATSF) për nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet Institucioneve Financiare dhe Agrobizneseve në Shqipëri.
Në takimin e zhvilluar pranë Hotel Fieri, morën pjesë rreth 50 agrobiznese të zonës së Fierit, të specializuara në përpunimin e bulmetit dhe të mishit, përfaqësues nga Institucionet Financiare Partnere (Raiffeisen Bank, OTP Bank, ProCredit Bank, Intesa SanPaolo Bank dhe Fondi Besa), përfaqësues nga BERZH, AATSF dhe institucionet shtetërore lokale.
Pjesëmarrësit në takim u prezantuan me projektin AATSF, i cili përfaqëson një instrument inovativ që synon të motivojë Institucionet Financiare të financojnë zinxhirin e vlerës së agrobiznesit. Ata u njohën gjithashtu me mundësitë e financimit për agrobiznesin dhe asistencën teknike për bankat, lehtësira të cilat ofrohen përmes AATSF dhe skemave të Bashkimit Evropian për zhvillimin e agrobiznesit në Shqipëri.
“Përshëndesim nismën, pasi sektori bujqësor ka pafundësisht nevojë për ndihmë, veçanërisht ata fermerë dhe agrobiznese që janë në fazat fillestare të zhvillimit të biznesit,” – u shpreh z. Muhamet Baboçi, përfaqësuesi i Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor.
Jo vetëm bizneset e reja, por edhe kompani tashmë me emër në tregun shqiptar, si LUFRA, Erzeni dhe Agri Zo ishin veçanërisht të interesuara për aktivitetin. Z. Ermir Dervishi, përfaqësuesi i kompanisë LUFRA, tha se: “Është një takim frytdhënës, i cili ndihmon të gjithë zinxhirin e agropërpunimit, duke filluar nga fermeri deri tek tregtarët. Uroj të kemi sa më shpesh takime të tilla, për të bërë njohjen mes institucioneve financiare dhe fermerëve e agrobiznesit.”
Takimi i radhës midis agrobizneseve dhe institucioneve financiare do të zhvillohet në datën 24 maj në Berat, me pjesëmarrjen e bizneseve në sektorin e vajit të ullirit dhe të verës.