Ndihma përpara anëtarësimit për zhvillimin rural (IPARD), ka qëllim specifik afatgjatë në drejtim të përgatitjes së sektorit të agrobiznesit, drejt plotësimit të kërkesës së aquis communitaire, si dhe zbatimin efikas të programit dhe shfrytëzimin e fondeve nga Bashkimi Europian.
Në këtë moment, sektori bujqësor dhe rural në Shqipëri ballafaqohet me sfida të rëndësishme, lidhur me mundësitë për prodhimtari cilësore bujqësore, konkurrencën nga tregjet rajonale, europiane dhe ndërkombëtare, mënyrën e përmirësimit të cilësisë së jetës në mjediset rurale, hapjen e vendeve të reja të punës etj.
Në këtë proces kaq të rëndësishëm është jashtëzakonisht e nevojshme dhe e rëndësishme mobilizimi i të gjithë aktorëve relevant, të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo ndikojnë në sektorin bujqësor dhe atë rural.
Fondi IPARD, si pjesë e instrumentit IPA, i është dedikuar vendeve kandidate për anëtarësim të barabartë në Bashkimin Europian, si dhe përgatitjes së tyre për shfrytëzimin e programeve para anëtarësimit për zhvillim bujqësor dhe rural. Kapaciteti absorbues për shfrytëzimin e fondeve të BE-së, paraqet aftësinë me të cilën vendi kandidat është në gjendje t’i shfrytëzojë burimet në mënyrë efikase dhe efektive. Duke e parë nga pozita kombëtare, ky kapacitet varet nga tre faktorë: situata makroekonomike, mundësitë për bashkëfinancim dhe kapaciteti administrativ.
Çfarë nënkupton bashkë-financimi në bujqësi dhe si lidhet kjo me grantet?
Shqipëria ka marrë të drejtën e aksesimit të granteve IPARD, program i iniciuar në Dhjetor të vitit 2018 me një vlerë financimi rreth 17 milion Euro në vit (përfshirë edhe kontributin e Qeverisë Shqiptare). Intesiteti i granteve per sektorin e Agrobiznesit shkon nga 50 – 70% të projektit të kontraktuar nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural. Kjo mbështetje financiare me grant për cdo thirrje publike është e përbërë nga 75% financim i siguruar nga instrumenti për ndihmë të para-antarësimit të zhvillimit rural në Bashkimin Evropian dhe 25% financim të siguruar nga buxheti i Republikës së Shqipërisë, si pjesë e marrëveshjes së MSA-së.
Mbështetja e sektorit bujqësor me grante ka një veçori që lidhet me mos lejueshmërinë e pagesave në advancë për realizimin e planeve të investimit të kontraktuara. Kjo detyrimisht kërkon për pjesen më të madhe të përfituesve nevojën për mbështetje nga sistemi bankar dhe institucionet mikro-financiare.
Cfarë përmban skema e granteve IPARD-3 për Agrobiznesin Shqiptar?
Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural e Shqipërisë njofton Thirrjen e III për dorëzimin e aplikimeve në kuadër të Programit IPARD II nga Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA) për Zhvillimin Rural (IPARD) me qëllim të zhvillimit të Sektorit Agro Ushqimor.
Thirrja e III për aplikime është e hapur për të gjithë personat (persona fizik dhe juridikë), puna dhe veprimtaria e të cilëve zhvillohet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë në fushat e prodhimit bujqësor /ose të agro-përpunimit dhe rural në masat e mëposhtme:
Masa 1: “Investimet në asete fizike në fermat bujqësore” në sektorët e mëposhtëm:
Qumësht
Mish
Fruta – Perime
Vresht
Buxheti total i masës 1 është 21.5 milion EURO.
Shpenzimet e pranueshme për masën 1 do të jetë në kufijtë minimal dhe maksimal si me poshtë:
Shuma minimale e totalit të shpenzimeve të pranueshme: 10,000 EURO;
Shuma maksimale e totalit të shpenzimeve të pranueshme: 500,000 EURO;
Përqindja e mbështetjes publike (grantit) varion nga:
deri në 60% të totalit të kostove të pranueshme të investimit;
deri në 65% nëse investimi bëhet nga një fermer i ri (nën 40 vjeç në datën e marrjes së vendimit për dhënien e mbështetjes);
deri në 70% për investimet në zona malore, ku 100% e investimit duhet të jetë ne zonë malore edhe në rastet kur aplikanti është nën 40 vjeç.
Masa 3: ”Investime në asete fizike për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit” do te jete vetëm në sektorin e mëposhtëm:
Përpunimi i frutave dhe perimeve
Buxheti total i mases 3 do të jetë në vlerën 7.6 milion EURO
Shpenzimet e pranueshme për masën 3 do të jetë në kufijtë minimal dhe maksimal si më poshtë:
Shuma minimale e totalit të shpenzimeve të pranueshme: 25,000 EURO;
Shuma maksimale e totalit të shpenzimeve të pranueshme: 2,000,000 EURO;
Përqindja e mbështetjes me fonde publike është 50% e totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit.
Kriteret e pranueshmërisë të aplikueshme për të gjitha masat janë:
- i) ndërtimi apo përmirësimi i pasurive të paluajtshme, deri në masën e vlerës së tregut të pasurisë;
- ii) blerja e makinerive dhe pajisjeve të reja, përfshirë programe kompjuterike, deri në masën e vlerës së tregut të pasurisë;
iii) kostot e përgjithshme që lidhen me shpenzimet e investimet (i) dhe (ii), si p.sh. tarifat e konsulencës të tilla si ato për arkitektë, inxhinierë etj, studime fizibiliteti, përgatitja e planit të biznesit, do të jenë të pranushme për tu rimbursuar deri në një tavan prej 12% të kostove të përcaktuara në pikat (i) dhe (ii). Maksimumi i shpenzimeve për përgatitjen e planit të biznesit duhet të jetë 4% i kostove të përmendura në pikat (i) dhe (ii) pa e kaluar vlerën e barabartë me 5,000 Euro.
- iv) Kostot e përgjithshme konsiderohen të pranueshme nëse projekti të cilit i përkasin është përzgjedhur dhe është kontraktuar prej AZHBR. Aplikanti duhet të provojë pronësinë mbi tokën/ ndërtesën ose ndërtesat të lidhura me investimin ose të drejtën e përdorimit me afat të paktën 10 vjet që nga data e dorëzimit të aplikimit. Në rastin e investimeve në pasuri të paluajtshme, ujitje, ose bimë shumëvjecare, aplikanti duhet te provojë pronësinë mbi tokën/ ndërtesat e lidhura me investimin ose të drejtën e përdorimit të tyre për një periudhë të paktën 10 vjet nga data e dorëzimit të aplikimit.
Aplikimet fillojnë me datë 10 Dhjetor 2020 dhe afati i fundit për dorëzimin e kërkesave është 25 Janar 2021.
Çfarë është programi AATSF dhe si lidhet ky program me grantet?
Programi i Mbështetjes së Agrobiznesit dhe Turizmit Shqiptar (AATSF) është një projekt i financuar dhe zhvilluar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në bashkëpunim dhe me mbështetje nga Qeveria Shqiptare, i cili ka nisur aktivitetin e tij në vitin 2016.
Qëllimi i këtij Programi është të motivojë institucionet financiare shqiptare për të mbështetur një sektor vital të ekonomisë shqiptare me potenciale gjerësisht të pashfrytëzuara – bujqësia dhe agrobizneset.
AATSF përbëhet nga dy elementë nga të cilat do të përfitojnë Institucionet Financiare:
Mbështetje financiare
Mbështetje teknike
AATSF siguron qasje në financa për sektorin e agrobiznesit në dy mënyra: linjë kredie dhe / ose shpërndarjen e riskut të portofolit për institucionet mikrofinanciare (IMF) dhe bankat. Institucionet përfitojnë nga një mbulim i parë i rrezikut të humbjeve që u vihet në dispozicion nga Qeveria Shqiptare. AATSF përfaqëson një instrument inovativ financiar për të inkurajuar kreditimin nga Institucionet Financiare në të gjithë zinxhirin e vlerës së agrobiznesit. Financimi i bizneseve bëhet nëpërmjet Institucioneve Financiare Partnere të AATSF me produkte afatmesme dhe afatgjata. Financimi i tyre mund të përfshihet nën programin AATSF, duke i ofruar kështu mundësinë që investimet e planifikuara nga bizneset të përfitojnë nga financime me kushte lehtësuese që ofrohen nëpërmjet Institucioneve Financiare Partnere dhe duke mbuluar riskun e pamjaftueshmërisë së kolateralit, i cili është një nga problemet më të shpeshta me të cilin përballet ky sektor. Institucionet Financiare Partnere të AATSF janë: Raiffeisen Bank, IntesaSanpaolo Bank, OTP Bank, ProCredit Bank.
Përfituesit përfundimtarë të AATSF janë fermerët, sipërmarrësit dhe kompanitë që janë të angazhuar në prodhimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore, prodhimin dhe tregtinë e pajisjeve bujqësore, logjistikën, ofruesit e shërbimeve të agrobiznesit, tregtarët me shumicë dhe pakicë. Agrobizneset mund të përfitojnë gjithashtu nga programi i Këshillimit të BERZH-it për Biznesin e Vogël (ASB) një program i mbështetur nga BERZH, i cili ofron konsulencë për zhvillimin e strategjisë, marketingut, ristrukturimin teknik dhe fusha të tjera të zhvillimit institucional nga ekspertët ndërkombëtarë dhe lokalë.
Me qëllim që bizneset të përfitojne nga përfshirja në programin e IPARD, është e nevojshme që të realizohet paraprakisht investimi i planifikuar dhe për të realizuar këtë investim është e nevojshme që bizneset të suportohen nga sistemi financiar për financimin e planeve të investimit te kontraktuara nga IPARD-i. Për të lehtësuar hapësirën mes planeve për investim, mungesës së fondeve për realizimin e tij dhe përfitimit nga skema të tjera mbështetëse si edhe mungesën e kolateralit të mjaftueshëm për të financuar planet e investimit vlen të theksohet se skemat mbështetëse nga BE dhe Qeveria Shqiptare mund të shërbejnë si burime të bashkëfinancimit për investimet në fushën e Agrobiznesit. Përmes kombinimit të tyre, AATSF dhe IPARD mund të kenë ndikim thelbësor për investimet në agrobizneset shqipëtare.
Institucionet Financiare Partnere të programit AATSF të cilat japin kredi për bizneset nëpërmjet produkteve afatmesme deri në afatgjata janë si më poshtë:
Për më shumë informacion rreth tyre drejtohuni në linkun: https://aatsf.com.al/sq/finantial-institutions/