Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit me Raiffeisen Bank për Programin AATSF

29 Mars 2019 – Sot u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural takimi koordinues mbi “Programin e Mbështetjes së Agrobiznesit dhe Turizmit Shqiptar” – AATSF, një projekt i financuar dhe zhvilluar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në bashkëpunim dhe me mbështjetje nga Qeveria Shqiptare.

 

Qëllimi i këtij Programi është të motivojë institucionet financiare shqiptare për të mbështetur një sektor vital të ekonomisë shqiptare me potencial gjerësisht të pashfrytëzuara, siç janë bujqësia dhe agrobizneset. Kjo ndihmë ofrohet përmes mbështetjes financiare dhe asistencës teknike.

 

Të pranishëm në këtë takim, Ministre e Financave dhe Ekonomisë, Zj. Anila Denaj, inistër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Z. Blendi Çuçi, Drejtor i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillimi (BERZH) në Shqipëri, Zv. Drejtuese e Projektit AATSF, Zj. Adela Leka, zyrtarë dhe ekspertë të bujqësisë, si dhe përfaqësues të institucioneve financiare, shprehën njëzëri bindjen se bujqësia si sektor me një peshë të konsiderueshme në PPB-në e vendit, duhet subvencionuar dhe mbështetur maksimalisht.

 

Takimi pasoi me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes BERZH dhe Raiffeissen Bank. Kjo bankë e nivelit të dytë i shtohet institucioneve të tjera financiare partnere në programin AATSF siç janë OTP Bank, ProCredit Bank, Intesa SanPaolo Bank, të cilat gjithashtu ofrojnë mbështetje të lartë ndaj sektorit të bujqësisë në vend.

 

Ky program mbështetës për fermerët në veçanti dhe agrobiznesin në tërësi mundëson kredi të buta përmes garantimit të një pjese të konsiderueshme të kolateralit nga ana e Qeverisë Shqiptare dhe BERZH. Institucionet përfitojnë nga një mbulim i parë i riskut të humbjeve që u vihet në dispozicion nga Qeveria Shqiptare. Shuma totale e vënë në dispozicion të sektorit të agrobiznesit me mbështetjen e BERZH arrin deri në vlerën totale prej 180 milionë euro.

 

Përfituesit përfundimtarë të AATSF janë fermerët, sipërmarrësit dhe kompanitë që janë të angazhuar në prodhimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore, prodhimin dhe tregtinë e pajisjeve bujqësore, logjistikën, ofruesit e shërbimeve të agrobiznesit, tregtarët me shumicë dhe pakicë.

 

Agrobizneset mund të përfitojnë gjithashtu nga programi i Këshillimit të BERZH-it për Biznesin e Vogël (ASB) nje program i mbështetur nga BERZH, i cili ofron konsulencë për zhvillimin e strategjisë, marketingut, ristrukturimin teknik dhe fushat tjera të zhvillimit institucional nga ekspertë ndërkombëtarë dhe lokalë.