Nis raundi i takimeve për nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet Institucioneve Financiare dhe Agrobizneseve në Shqipëri

15 Maj 2019 – “Programi i Mbështetjes së Agrobiznesit Shqiptar” (AASF) zhvilloi në Lushnje takimin e parë midis Institucioneve Financiare dhe Agrobizneseve. Ky aktivitet çel raundin e takimeve me qëllim shkëmbimin e informacionit dhe nxitjen e partneritetit mes palëve në disa zona të Shqipërisë.

 

Pjesëmarrës në këtë takim ishin rreth 40 përfaqësues nga Institucionet Financiare Partnere (Raiffeisen Bank, Otp, ProCredit Bank, Intesa SanPaolo Bank dhe Fondit Besa), BERZH, institucionet shtetërore lokale, dhe agrobinzeset e specializuara për kultivimin e shalqirit dhe perimeve të serrave, të cilat operojnë në zonën e Lushnjes.

 

Aktiviteti nisi me një prezantim nga zëvendës drejtuesja e projektit AASF, zj. Adela Leka, e cila theksoi mundësitë e financimit për agrobiznesin dhe asistencën teknike për bankat që ofrohen përmes këtij projekti dhe skemave të Bashkimit Evropian. Zj. Leka informoi të pranishmit se AASF është një instrument inovativ që synon të motivojë Institucionet Financiare të financojnë zinxhirin e vlerës së Agrobiznesit.

 

Ndërsa i pranishëm në këtë aktivitet, përfaqësuesi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), z. Neritan Mullaj, prezantoi agrobizneset me Programin e BERZH për Këshillimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme duke u shprehur se Banka (BERZH) ofron më shumë se thjesht Financim. Z. Mullaj u shpreh se BERZH ofron këshilla biznesi për bizneset e vogla dhe të mesme që kanë për qëllim rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të biznesit të tyre duke i ftuar këto biznese të aplikojnë në këtë Program.

 

Aktiviteti vijoi me prezantime teknike me tematikë “Vlerën e Zinxhirit Financiar” dhe “Kopshtaria dhe Grumbullimi: Perimet e serrës dhe shalqirit” nga ekspertë të AASF të cilët përshkruan potencialin dhe mundësitë e këtij sektori në zonën e Lushnjes.

 

Gjatë sesionit të diskutimeve, pjesëmarrësit patën mundësi të zbulonin më shumë rreth procedurave për të përfituar nga nisma e projektit. Ndërkohë që fermërët, biznese dhe Institucionet Financiare ishin ftuar gjithashtu të ekspozonin produktet dhe shërbimet e tyre në stendat e mundësuara në hapësirën e ndodhur pranë hollit.

 

Takimi i radhës midis agrobizneseve dhe institucioneve financiare do të zhvillohet në datën 17 maj në Fier, me pjesëmarrjen e bizneseve që operojnë në sektorin e bulmetrave dhe mishit.