14 qershor 2019 – Cikli i aktiviteteve të “Programit të Mbështetjes së Agrobiznesit dhe Turizmit Shqiptar” (AATSF) për nxitjen e bashkëpunimit midis fermerëve dhe institucioneve partnere financiare u përmbyll sot në Sarandë, në takimin me fokus në kultivimin e mandarinës dhe agrumeve. Në takim morën pjesë përfaqësues nga bizneset e vogla dhe të mesme të zonës, Institucionet Financiare Partnere (Raiffeisen Bank, Otp Bank, Intesa SanPaolo Bank dhe Fondi Besa), BERZH si dhe institucione publike lokale të rajonit të Sarandës.
Përfaqësuesit nga “Programi i Mbështetjes së Agrobiznesit dhe Turizmit Shqiptar” (AATSF) theksuan gjatë takimit faktin se AATSF është një instrument inovativ që synon të motivojë Institucionet Financiare të financojnë zinxhirin e vlerës së agrobiznesit. Krahas prezantimit me nismat e projektit dhe mundësitë për bashkëpunim, pjesëmarrësit u njohën gjithashtu me shërbimet e tjera mbështetëse që BERZH ofron përmes programit, si konsulencat për biznesin.
Për shkak të klimës së favorshme, rajoni jugor paraqet kushte shumë të përshtatshme për kultivimin e mandarinës dhe kulturave të tjera të ngjashme, një mundësi e cila në këndvështrimin e AATSF nuk duhet lënë pa u shfrytëzuar. AATSF bëri gjatë këtij takimi një prezantim teknik mbi kultivimin e mandarinës duke venë në dukje potencialin ekonomik të saj dhe mundësitë financiare për PFI-të.
“Sektori i vajit dhe agrumeve janë prioritarë për qeverinë shqiptare dhe kjo krijon mundësinë e bashkëfinancimit. Bankat tanimë e njohin skemën e Programit AATSF për të financuar fermerin deri në 100%, të garantuara edhe nga mbështetja e Berzh dhe Qeverisë.” – tha Profesor Engjëll Skreli studiues i Zinxhirit të Vlerës së Financimit për AATSF.
“Prodhimi i mandarinës kontribuon në 2/3 e konsumit kombëtar të agrumeve në Shqipëri, duke prodhuar sot rreth 26 mijë tonë, ndërsa ekspertët janë të bindur se kapacitetet prodhuese mund të shkojnë deri në 50 mijë tonë. Sigurisht që kjo nuk mund të jetë e mundur pa mbështetje financiare dhe teknike siç mund të jetë Programi i Mbështetjes së Agrobiznesit dhe Turizmit Shqiptar – (AATSF)” – u shpreh Llukan Kote, sipërmarrësi nga Xara në fushën e agrumeve.
Shkëmbimi midis fermerëve dhe institucioneve partnere financiare në përfundim të eventit ishte mjaft frytëdhënës, duke rezultuar në ndërgjegjësim më të lartë nga ana e fermerëve lokale. Takimet midis fermerëve, sipërmarrësve dhe institucioneve partnere financiare kanë rezultuar mjaft të dobishme në ndërgjegjësimin e përfituesve për skemat që po implementohen në vendin tonë përmes bashkëpunimit me pushtetin qendror e lokal.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe përfaqësues nga sektori i sigurimeve, të cilët theksuan nevojën që fermerët kanë për të siguruar biznesin e tyre duke patur parasysh ndjeshmërinë e këtij biznesi ndaj situatave klimaterike apo rreziqeve natyrore. “Gjithçka mund të sigurohet, aq më tepër bujqësia qe eshte ekspozuar ndaj rreziqeve apo fatkeqësive natyrore.” – u shpreh Sajmir Bajramaj, Drejtor i Degës Sigal Uniqa Group, Sarandë.
Ndonëse Saranda ishte ndalesa e fundit në tour-in e AATSF, programi do të vijojë të ofrojë mbështetjen financiare dhe teknike ndaj të gjithë sipërmarrjeve në sektorin e agrobiznesit. Aktivitete të tjera dhe nisma të reja do të fillojnë të implementohen së shpejti.