AATSF prezantoi “Kartat për zbutjen e rrezikut”, një seri prej nëntë kartash mbështetëse informative për Institucionet Financiare Partnere (IFP) të AATSF dhe agrobizneseve në Shqipëri. Prezantimi u mbajt gjatë Workshopit Ndërkombëtar: “Zhvillimet e sektorit të bujqësisë – midis ndryshimit të klimës dhe integrimit në BE”, zhvilluar në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit (FEA) të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT).
Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit si dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural organizuan këtë event, me mbështetjen e Programit AATSF. Si pjesëmarrës, AATSF mirëpriti Zëvendësministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Rektorin e UBT & Dekanin e FEA, zëvendësdrejtoreshë e Programit AATSF, profesorët, studentët, dhe përfaqësues nga shoqata e sigurimeve dhe institucionet financiare që bashkëpunojnë me AATSF-në.
“Ne kemi kapacitetin për të bërë punë të mira që do t’i paraprijnë zhvillimit të bujqësisë dhe sfidave të saj. Universiteti është një vlerë e shtuar për ministrinë dhe më gjerë. ” – tha Rektori, Prof. Dr. Bahri Musabelli.
Për më tepër, Zëvendësministri i Bujqësisë, Z. Dhimitër Kote, theksoi rëndësinë e aspekteve financiare të bujqësisë për përfituesit. “Ne duhet të theksojmë rëndësinë e mos trajtimit të bujqësisë thjesht si sektor patriotik, por ta përdorim atë edhe për përfitimin financiar të fshatrave dhe qytetarëve.” – tha Z. Kote.
Zj. Adela Leka, Zëvendësdrejtuese e Programit AATSF, shpjegoi rolin e Programit dhe shtoi se sipas përvojës së AATSF sot fermeri po kërkon për fonde përveç granteve dhe asistencës teknike. “AATSF mund të mbulojë një pjesë të kolateralit për të rritur investimet në bujqësi me efikasitet dhe cilësi. AATSF ofron mjete të ndryshme mbështetëse për sektorin e bujqësisë dhe partnerë të tjerë në sektor. “- tha Zj. Leka.
“Integrimi Evropian kërkon që ne të bashkohemi duke integruar edhe produktet tona. Thelbi i këtij eventi është t’i shtojë diskutimit të vazhdueshëm për hartimin e politikave ekonomike në mënyrë që bujqësia të luajë një rol të rëndësishëm në rritjen ekonomike të vendit.” – shpjegoi Prof. Assoc. Dr Maksim Meço, dekani i FEA.
Aktiviteti vazhdoi me prezantimin e “Kartave për Zbutjen e Rrezikut” të AATSF dhe strategjitë e zbutjes për sfidat me të cilat përballet sektori. Për nëntë mallrat më të rëndësishëm bujqësorë, Kartat për Zbutjen e Rrezikut të AATSF japin një përmbledhje të shpejtë në lidhje me faktet dhe zhvillimet përkatëse të tregut dhe shpjegojnë strategjitë më të rëndësishme zbutëse kundër rreziqeve që mund të ndikojnë potencialisht në produktin specifik.
Duke mbuluar rreziqet e prodhimit, marketingun dhe rreziqet financiare, rreziqet ligjore, rreziqet menaxheriale dhe të lidhura me politikat, kartat mund të ndihmojnë agrobizneset të marrin vendime për zvogëlimin e rreziqeve dhe Institucionet Financiare për të promovuar financimin e investimeve për zbutjen e rreziqeve në bujqësi.