7 Qershor 2019 – Prej vitesh, kultivimi i mollëve është kthyer në një traditë të rëndësishme për fermerët e rajonit të Korçës, duke e bërë këtë kulturë njëkohësisht një nga produktet më në zë të shportës ‘made in Albania’. Ky fakt paraqet një potencial të madh për rritjen e mëtejshme të sipërmarrjeve bujqësore të rajonit, të cilat morën pjesë sot në takimin prezantues të skemave lehtësuese të “Programit të Mbështetjes së Agrobiznesit dhe Turizmit Shqiptar” (AATSF).
Pjesëmarrës të tjerë në këtë takim ishin përfaqësuesit nga Institucionet Financiare Partnere (Raiffeisen Bank, OTP, ProCredit Bank, Intesa SanPaolo Bank dhe Fondi Besa), BERZH si dhe institucionet publike lokale të rajonit të Korçës.
Takimi nisi me një prezantim të projektit, mundësive të financimit për agrobiznesin dhe asistencës teknike për bankat, e cila ofrohet përmes këtij projekti dhe skemave të Bashkimit Evropian. AATSF është një instrument inovativ që synon të motivojë Institucionet Financiare të financojnë zinxhirin e vlerës së agrobiznesit.
Në këtë event një hapësirë e dedikuar iu ofruar prezantimit të portofolit të produkteve për mundësitë e kredidhënies nga vetë Institucionet Financiare Partnere.
Përfaqësuesja e Raiffeisen Bank e pranishme në këtë event duke ndar kënaqësinë për përfshirjen e saj në këtë program u shpreh se vëllimi i portofolit të kësaj banke për dy vitet e ardhshme për sektor e bujqësisë arrin një vlerë prej 35 milion euro.
Ndërkohë, përfaqësuesi i Intesa San Paolo tek sa prezantoi të pranishmit me produketet për biznesin u shpreh se strategjia e bankës është e orientuar drejt mbështetjes së rritjes së ekonomisë reale me fokus të veçant segementin e biznesit të vogël siç është fermeri.
Në vijim të prezantimit të Pro Credit Bank, përfaqësuesit e këtij Institucioni Financiar u shprehën se janë të gatshëm të mbështesin sektorin në çdo fazë të zhvillimit të tij, e jo vetëm në vlerë monetare por edhe me këshillim financiar të kualifikuar.
Ndërsa OTP Bank duke vlerësuar Programin dhe këtë nisëm u ndal tek fakti se edhe pse një bankë e re, ajo vendos theksin tek ambicia e saj për tu zgjeruar në tregun rajonal e duke patur një fokus të veçantë tek fermeri dhe agrobiznesi me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të këtij potenciali ekonomik.
Në përfundim Fondi Besa, si përfaqësues nga sektori i Institucioneve Mikro Financiare në prezantimin e saj njohu të pranishmit nga sektori i bujqësisë me paketën e saj “Besa Agro” e cila mundëson për fermerët kredi deri në vlerën 25 000 euro me një periudh shlyerje deri në 48 muaj.
Më tej një shkëmbim i frytshëm gjatë hapësirës së programit dedikuar diskutimeve, i mundësoi sipërmarrësve dhe fermerëve të mësonin më shumë rreth procedurave për të përfituar nga nisma e projektit. Gjithashtu, bizneset u ftuan të angazhohen në programin e BERZH për të këshilla biznesi për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat kanë për qëllim rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm.
Fokusi i takimit të radhës, i cili do të zhvillohet në Sarandë në datën 14 qershor, do të jenë kultivuesit e frutave të familjes së qitros. Kjo do të jetë edhe ndalesa e fundit në turin e AATSF për të promovuar bashkëpunimin midis institucioneve financiare dhe sipërmarrjeve bujqësore në Shqipëri.